Dukagjin Lipa pas përfundimit të Sunny Hill Festival: Edicioni më i mirë deri më tani

Pas përfundimit të edicionit të sivjetmë të Sunny Hill Festival, themeluesi i tij, Dukagjin Lipa, ka reaguar me një postim emocionues, duke ndarë përshtypjet e tij për suksesin e arritur.
“Na u desh një javë e tërë të rikuperoheshim nga fundjava më e mirë ndonjëherë! Sunny Hill Festival po rritet çdo vit dhe këtë vit ishte më i miri deri tani! Jam kaq krenar për gjithë ekipin për përkushtimin, angazhimin dhe dashurinë e tyre për ta bërë këtë të mundur”, ka shkruar ai.
Tutje, Lipa ka shtuar: “Nuk është kurrë e lehtë, por ia vlen gjithmonë! Faleminderit të gjithë artistëve dhe ekipeve të tyre që iu bashkuan këtë vit dhe e bënë një edicion për t’u mbajtur mend, dhe faleminderit fansave dhe pjesëmarrësve të festivalit, pa ju nuk do të mund ta realizonim! Tani është koha të fillojmë punën për edicionin e vitit të ardhshëm… Shihemi vitin tjetër”.

Sunny Hill Festival, i njohur për sjelljen e emrave të mëdhenj të muzikës botërore dhe atmosferën e veçantë që krijon, vazhdon të rritet çdo vit, duke e pozicionuar Kosovën si një pikë të rëndësishme në hartën e festivaleve ndërkombëtare.
Edicioni i këtij viti u vlerësua si një nga më të suksesshmit deri më tani, si nga organizatorët, ashtu edhe nga publiku.
U mbajt më 1, 2 dhe 3 gusht në Bërnicë, ku pati performanca të mrekullueshme nisur nga Dua Lipa, Shawn Mendes e deri te Peggy Gou. /Telegrafi/
The post Dukagjin Lipa pas përfundimit të Sunny Hill Festival: Edicioni më i mirë deri më tani appeared first on Telegrafi.
Comments
This post currently has no comments.