Rikthehet Ermonela Jaho, më 15 nëntor performon në Gjakovë në kuadër të “Ditët të Nëntorit”

Më 15 nëntor, soprano shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho do të jetë në Gjakovë, në kuadër të “Ditët e Nëntorit” që organizohet nga Fondacioni për Gjakovën.
Në një intervistë në “Radar” në Radio Dukagjini ajo ka zbuluar këtë datë, ka folur për ndikimin e roleve në jetën e saj dhe për të mirat dhe gabimet që ka populli shqiptar.
Jaho thotë se pothuajse të gjitha rolet e kanë ndryshuar si njeri.
Foto: Instagram
“Rolet që këndoj janë kaq dramatike dhe janë temat e sakrificës, humbjes, braktisjes, mallit, janë histori që ajo dhimbja e personazhit që jeton në atë moment është aq e madhe sa ti preferon më mirë të lësh këtë jetë sepse është e padurueshme ose e kundërta të luftosh me çdo gjë që të rrethon, dmth vdes dhe ngjallesh shumë herë”, thotë ajo.
Kur flet për krenarin dhe gabimin e shqiptarëve, thotë se fatkeqësisht janë rreth të njëjtës gjë, vlerave.
“Mikpritje, dashuria për njeri –tjetrin, vlera, që unë jam rritur me këto vlera dhe çfarë mund të kritikojmë njëri-tjetrin pikërisht ana e kundërt e kësaj, këto vlera me të cilat jemi rritur ne brez pas brezi kanë filluar po humbasin dhe çfarë kam vënë re është shumë e vështirë të përkrahim njëri-tjetrin është shumë shumë e vështirë të pranojmë suksesin e tjetrit, sidomos kur është një miku, mikja jonë, që jemi rritur me të, që e njohim familjarisht dhe kjo gjë është aq e theksuar sa edhe te vjen keq sepse jemi një popull kaq i vogël me një histori të jashtëzakonshme dhe që i ka dhënë botës kaq shumë vlera, jo vetëm në art, kulturë, shkencë, po si është e mundur që nuk po bashkohemi dot”, thotë Ermonela Jaho.
Ndërsa për pjesëmarrjen e saj në Gjakovë në “Ditët e Nëntorit” ajo ka shprehur një lumturi të pafundme, megjithëse nuk ka mundur të tregoj detaje, por u kuptua që është një dedikim i madh ngase u përlotën bashkë me moderatoren, Edita Doli.
“Ndjej detyrim shpirtëror për të ardhur për t’u bashkuar për atë që thash më përpara që jemi një shpirt, një zë, le të bëjmë një udhëtim shpirtëror të gjithë së bashku nëpër veprat botërore që flasin për këto histori kaq të dhimbshme dhe të bukura, që do frymëzonin dhe kompozitorët më të mëdhenj të botës, historitë shqiptare. Do të jetë një program që shpirtrat tanë do të shohin njëri-tjetrit në pasqyrë për njerëzit që janë këtu dhe ata që kanë dhënë jetën e tyre që ne t’i kujtojmë, mos t’i harrojmë…. Është detyrim patriotik, shpirtëror, mezi po pres”, ka thënë Ermonela Jaho nën lot e emocione./Radio Dukagjini
Comments
This post currently has no comments.