Grupi irlandez i rokut Kodaline njofton ndarjen pas më shumë se një dekade së bashku

Grupi i njohur irlandez i rokut, Kodaline, ka njoftuar ndarjen pas më shumë se dhjetë vitesh bashkëpunim.
Bendi, që fitoi zemrat e publikut me hitet “All I Want” dhe “High Hopes”, zbuloi se do të publikojë albumin e pestë dhe të fundit përpara se të ndahet përfundimisht.
“E dimë që kjo mund të vijë si një surprizë dhe është padyshim e hidhur e e ëmbël për ne”, tha grupi në një video të ndarë në Instagram. “Ajo që kemi ndarë me ju ka ndryshuar jetën tonë përgjithmonë”.
Kodaline (Screenshot)
Fillimisht të njohur si 21 Demands, grupi nga Dublini mori emrin Kodaline në vitin 2012, duke reflektuar një drejtim të ri muzikor, shkruan BBC.
Vetëm një vit më vonë, ata publikuan albumin debutues “In A Perfect World” (2013), i cili arriti vendin e parë në Irlandë dhe të tretin në Mbretërinë e Bashkuar.
Anëtarët Steve Garrigan, Vincent May, Mark Prendergast dhe Jason Boland u bënë një prej emrave më të dashur të skenës alternative, duke marrë vlerësime nga kritika dhe nominime si MTV Brand New 2013 dhe BBC Sound Of 2013.
Albumet pasuese “Coming Up For Air” (2015) dhe “Politics Of Living” (2018) u renditën të dy në vendin e parë në Irlandë, ndërsa “One Day At A Time” (2020) arriti në vendin e dytë.
Lajmi i ndarjes ka tronditur fansat e grupit, të cilët kanë mbetur me shpresën që Kodaline do të përfundojë kapitullin e tyre me një turne lamtumire dhe një album që do të shënojë fundin e një epoke për muzikën pop-rock irlandeze. /Telegrafi/
Comments
This post currently has no comments.