Bebe Rexha ndez skenën e festivalit ‘Intencity’ në Rumani me performancë spektakolare
Artistja shqiptare me renome botërore, Bleta Bebe Rexha, ka dhuruar një prej performancave më elektrizuese të verës gjatë qëndrimit të saj të fundit në Rumani.
Ajo ishte e ftuara speciale në edicionin e sivjetmë të Intencity Festival, që u mbajt në qytetin Craiova, ku pushtoi skenën me energjinë dhe hitet e saj të njohura globalisht.
Atmosfera në koncert ka qenë magjepsëse, me turmën që këndonte bashkë me të çdo varg. Në videot që po qarkullojnë në rrjetet sociale, Bebe Rexha shihet duke interpretuar disa nga sukseset e saj më të mëdha si “I’m Good (Blue)”, “Meant To Be”, “Me, Myself and I”, si dhe këngën legjendare “The Monster”, që ajo e ka shkruar për dyshen Rihanna dhe Eminem. Reagimet e publikut ishin të jashtëzakonshme, me entuziazëm dhe duartrokitje që nuk pushuan gjatë gjithë shfaqjes.
Përveç performancës, këngëtarja me origjinë shqiptare u vlerësua edhe për paraqitjen e saj në skenë, duke dëshmuar edhe një herë se është një prej emrave më të fuqishëm të muzikës pop në skenën ndërkombëtare.
Bebe Rexha do të vazhdojë turneun e saj veror me paraqitje në festivale të tjera në vende si Zvicra, Gjermania dhe disa shtete të tjera evropiane, duke sjellë muzikën e saj pranë fansave në çdo cep të kontinentit.
Rexha, e cila prej vitesh po shkëlqen në industrinë muzikore ndërkombëtare, vazhdon të mbetet një ambasadore e denjë e muzikës shqiptare në botë. /Telegrafi/
The post Bebe Rexha ndez skenën e festivalit ‘Intencity’ në Rumani me performancë spektakolare appeared first on Telegrafi.
Comments
This post currently has no comments.