Fituesi i Eurovisionit të vitit 1994 vendosi gjithashtu ta kthejë çmimin për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit

Charlie McGettigan, këngëtari irlandez i cili së bashku me Paul Harrington fituan Festivalin e Këngës në Eurovision në vitin 1994, ka njoftuar se do ta kthejë trofeun e tij në shenjë proteste kundër pjesëmarrjes së vazhdueshme të Izraelit në këtë konkurs muzikor.
Me këtë veprim simbolik, ai donte të tregonte mbështetje për fituesin e Eurovisionit të vitit të kaluar, këngëtarin zviceran Nemo, i cili gjithashtu vendosi ta kthente trofeun për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit në Eurovision 2026.
McGettigan tha në një video të postuar në rrjetet sociale se planifikon t’ia dërgojë trofeun e tij Bashkimit Evropian të Transmetimeve (EBU), i cili organizon Konkursin e Këngës në Eurovision. Ai theksoi se Nemo e kontaktoi atë në internet për të shpjeguar vendimin për ta kthyer trofeun për vitin 2024.
“Ata dukeshin të sinqertë dhe shumë inteligjentë, e shprehën mirë pikëpamjen e tyre, dhe kështu në mbështetje të Nemos, dua t’ia kthej trofeun tim EBU-së”, tha ndër të tjera Harrington.
Ai shtoi se, meqenëse fitorja ishte në vitin 1994, aktualisht nuk është në gjendje ta gjejë trofeun origjinal: “Fatkeqësisht, fitorja jonë ndodhi në vitin 1994 dhe nuk mund ta gjej trofeun që fituam atëherë, por nëse e gjej, do ta kthej edhe timin. Faleminderit që më dëgjuat”, tha ai.
Vendimi i McGettigan vjen në kontekstin e një polemike më të gjerë rreth përfshirjes së Izraelit në Festivalin e Këngës në Eurovision. Pasi konfirmuan se Izraeli do të vazhdojë të marrë pjesë në konkurs, transmetuesit nga pesë vende: Islanda, Irlanda, Holanda, Sllovenia dhe Spanja – njoftuan tërheqjen e tyre nga konkursi në vitin 2026. /Telegrafi/

Comments
This post currently has no comments.