Madison Beer rikthehet me këngën e re “Yes Baby”

Madison Beer ka publikuar këngën e saj të parë për vitin 2025, të titulluar “Yes Baby”.
Projekti i ri shënon rikthimin e artistes së nominuar për Grammy pas më shumë se një viti pa materiale të reja origjinale.
Kënga është një dance-pop ritmike, ku Beer eksperimenton me tinguj sintisajzerësh dhe perkusione energjike, shkruan Rolling Stone.
Foto: Madison Beer/Yes Baby (Screenshot)
Në deklaratën e saj, këngëtarja e përshkroi si një krijim “argëtues dhe flirtues”, ndërsa videoklipi shoqërues, të cilin e ka bashkë-regjisuar me Aerin Moreno, sjell frymëzime nga estetika e videove të ushtrimeve të viteve të 80-ta.
Publikimi i “Yes Baby” vjen pas suksesit të këngës “Make You Mine”, e cila i solli Beerit një nominim në Grammy për “Regjistrimin më të Mirë Dance Pop” në fillim të këtij viti.
Foto: Madison Beer/Yes Baby (Screenshot)
Kënga e fundit që ajo kishte nxjerrë para këtij rikthimi ishte “15 Minutes”, në korrik 2024.
Sipas njoftimit zyrtar, më shumë muzikë nga Madison Beer pritet të vijë “më shpejt nga sa mendohet”, duke lënë të kuptohet se artistja mund të jetë në prag të një albumi të ri.
Foto: Madison Beer/Yes Baby (Screenshot)
Albumi i saj i fundit, Silence Between Songs, u publikua në vitin 2023, ndërsa vitin e kaluar ajo përfundoi turneun ndërkombëtar Spinnin Tour në mbështetje të tij.
Duke folur për Rolling Stone, Beer ka zbuluar se ka shkruar disa këngë me energji optimiste përpara nisjes së turneut, të cilat do të jenë boshti i projektit të ardhshëm, që do të ruajë frymën dance-pop, por me një qasje më të gjerë muzikore. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com
Comments
This post currently has no comments.