Reperi i famshëm nuk merr pjesë në turneun botëror në ShBA për shkak të frikës nga bastisjet në koncerte

Reperi i famshëm portorikan, Bad Bunny, thotë se e ka përjashtuar ShBA-në nga turneu i tij i ardhshëm botëror për shkak të frikës se fansat e tij do t’i nënshtrohen bastisjeve të emigracionit.
Në një intervistë të kohëve të fundit me revistën iD, fituesi tre herë i çmimit Grammy u pyet nëse do të mungonte në ShBA “për shkak të shqetësimeve në lidhje me deportimet masive të latino-amerikanëve”, dhe ai u përgjigj po.
“Sinqerisht, po. Kishte shumë arsye pse nuk u shfaqa në ShBA dhe asnjëra prej tyre nuk ishte nga urrejtja. Kam performuar atje shumë herë. Të gjitha koncertet ishin të suksesshme. Të gjitha ishin madhështore”, theksoi tutje.
Foto: EPA-EFE
Shtoi se bastisjet e Zyrës së Imigracionit dhe Doganave (ICE) në të gjithë ShBA-në janë të pashembullta që kur Donald Trump u rizgjodh, me agjencinë që tani synon një minimum prej 3,000 arrestimesh në ditë.
Tha ndër tjerash se ka performuar shumë herë në ShBA më parë dhe se fansat amerikanë mund ta shohin në rezidencën e tij aktuale në Porto Riko – territori i pa-inkorporuar i ShBA-së ku ai lindi dhe jeton – përpara se të nisë turneun global në nëntor të këtij viti.
Mungesa e datave në ShBA gjatë turneut, në mbështetje të albumit të tij të gjashtë “Debi Tirar Mas Fotos”, ka ngjallur spekulime në rrjetet sociale që kur u njoftua në maj.
Vendimi i Bad Bunny vjen mes shqetësimeve në rritje në lidhje me arrestimet dhe deportimet e Ice në ShBA. /Telegrafi/
Comments
This post currently has no comments.