Taylor Swift zbulon arsyen se pse nuk dëshiron të performojë në ‘Super Bowl’

Prej vitesh është përfolur që Taylor Swift, një nga yjet më të mëdha të muzikës pop në botë, mund të performojë në shfaqjen e famshme të pjesës së mesme të Super Bowl-it – ngjarja më e ndjekur televizive në SHBA.
Duke qenë se i dashuri i saj, Travis Kelce, është lojtar i ekipit të Kansas City Chiefs, gjithçka dukej perfekte për një moment historik.
Megjithatë, pikërisht kjo lidhje është arsyeja pse këngëtarja nuk do të ngjitet në skenë këtë vit.
E ftuar më 6 tetor në emisionin “The Tonight Show” me Jimmy Fallon, Swift shpjegoi arsyet që qëndrojnë pas vendimit të saj.
Ajo tregoi se kompania Roc Nation, e themeluar nga Jay-Z dhe që merret me përzgjedhjen e artistëve për Super Bowl, ka kontaktuar disa herë me ekipin e saj.
“Jay-Z gjithmonë ka qenë shumë i sjellshëm me mua”, tha Taylor. “Unë gjithmonë mund t’i them të vërtetën”, vazhdoi ajo.
Këngëtarja shtoi se lidhja e saj me Travis ka ndikuar në mënyrën se si ajo e përjeton sportin: “Jam e dashuruar me një djalë që merret me atë sport. Është si shah i dhunshëm — gladiatorë pa shpata. Është e rrezikshme. Gjatë gjithë sezonit jam e përqendruar vetëm në atë që ai bën në fushë”.
Taylor tha se nuk mund të mendojë për planifikimin e një spektakli madhështor, ndërkohë që partneri i saj rrezikon shëndetin çdo javë në lojëra: “A mund ta imagjinoni? Ai është atje duke rrezikuar jetën çdo fundjavë, ndërsa unë të mendoj për koreografinë time? Thjesht nuk më shkon mendja atje”, – shtoi ajo me humor.
Megjithatë, Swift theksoi se vendimi nuk është ndikuar nga Travis: “Kjo nuk ka të bëjë fare me të. Ai madje do të dëshironte që unë të performoja. Thjesht jam shumë e përqendruar te ajo që po bën ai tani”.
Këngëtarja nuk e përjashtoi mundësinë që një ditë të performojë në Super Bowl, ndoshta pasi Kelce të mbyllë karrierën sportive, duke lënë të hapur mundësinë për një nga momentet më të pritura në historinë e spektaklit amerikan. /Telegrafi/
Comments
This post currently has no comments.