UNUM Festival shpallet ‘Festivali më i Mirë Global për vitin 2025’ – Shqipëria në qendër të hartës botërore të muzikës elektronike

Një arritje historike për muzikën elektronike dhe për Shqipërinë: UNUM Festival është shpallur “Festivali më i Mirë Global për vitin 2025” nga The DJ Awards Ibiza, një nga organizatat më prestigjioze ndërkombëtare që nderon arritjet më të mëdha në industrinë e muzikës elektronike.
Ky vlerësim e rendit UNUM-in krah gjigantëve të njohur si Burning Man, Tomorrowland, Sonus dhe Kappa Futur Festival, duke e vendosur Shqipërinë në qendër të hartës globale të eventeve muzikore.
I themeluar në vitin 2019, UNUM Festival nisi si një ëndërr për të sjellë në Shqipëri energjinë, artin dhe kulturën e muzikës elektronike, duke ruajtur në të njëjtën kohë autenticitetin e bregdetit shqiptar.
Në vetëm pesë edicione, ai është shndërruar në një fenomen ndërkombëtar, që tërheq çdo vit mijëra vizitorë nga mbi 60 vende të botës.
Plazhi magjik i Rana e Hedhun në Shëngjin është bërë skena ikonike ku lind dielli bashkë me ritmet e muzikës, duke krijuar një përvojë unike që bashkon natyrën, artin dhe komunitetin në një harmoni të rrallë.
Ky çmim nga DJ Awards Grand Jury nuk është vetëm një nderim për festivalin, por një simbol i transformimit të Shqipërisë në një destinacion të ri për turizmin kulturor dhe muzikor.
UNUM ka provuar se vendi ynë mund të konkurrojë me destinacionet më të zhvilluara, duke ofruar organizim profesional, përvojë unike për vizitorët dhe një energji autentike që nuk gjendet askund tjetër.
Foto: UNUM Festival/Facebook
Organizatorët e festivalit janë shprehur jashtëzakonisht mirënjohës për këtë vlerësim: “Ky çmim është fryt i pasionit, punës së palodhur dhe besimit që kemi ndërtuar së bashku me artistët, partnerët dhe mbi të gjitha me familjen UNUM. Është një ëndërr e bërë realitet dhe një moment historik për Shqipërinë”.
UNUM Festival ka krijuar një model të ri zhvillimi për industrinë e eventeve në Ballkan, duke ndikuar drejtpërdrejt në promovimin e turizmit, ekonomisë lokale dhe imazhit ndërkombëtar të vendit.
Falë këtij suksesi, Shqipëria po shihet gjithnjë e më shumë si një destinacion i ardhshëm për turizmin e muzikës elektronike, me interes në rritje nga mediat ndërkombëtare, artistët dhe kompanitë e mëdha të produksionit. /Telegrafi/
Comments
This post currently has no comments.