“Vjeshta në Prishtinë” – Kënga e re e Nimon Mushkolajt kap atmosferën e kryeqytetit

Këngëtari i njohur kosovar, Nimon Mushkolaj, ka publikuar këngën e tij më të re, të titulluar “Vjeshta në Prishtinë”, një projekt muzikor që sjell ngrohtësinë, nostalgjinë dhe ngjyrat e sezonit më poetik të vitit në rrugët e kryeqytetit.
Kënga është një kombinim i emocioneve të buta dhe melodive të ndjera, me tekst, muzikë dhe orkestracion nga maestro Florent Boshnjaku.
Projekti ofron një tingull modern, por që ruan autenticitetin e muzikës së lehtë shqiptare. Astrit Stafaj, kitaristi i njohur, i jep këngës një dimension të veçantë instrumental, të ndjeshëm që që nga notat e para krijon një atmosferë të ngrohtë.
Screenshot/YouTube
Videoklipi, i realizuar nga Record Production, shfaq pamje të përzgjedhura të Prishtinës të veshura me ngjyrat e vjeshtës, rrugë të lagura, drita urbane të buta dhe një narrativë vizuale që përputhet me emocionin e këngës.
“Jam shumë i lumtur me reagimet. Shumë njerëz po më shkruajnë se kënga i kujton periudha të jetës së tyre, shëtitje dhe histori personale. Kjo është më e mira që mund të marrë një artist”, tha Mushkolaj në një intervistë për ‘TOP FOLK’ të RADIO 1.
“Vjeshta në Prishtinë” u publikua më 11 nëntor 2025 dhe është pritur me entuziazëm nga publiku që në ditët e para.
Projekti është i disponueshëm në platformat kryesore muzikore dhe po konsiderohet si një nga paraqitjet më emocionale dhe të përpunuara të Mushkolajt.
Me këtë këngë, Mushkolaj sjell një dimension të ri në repertorin e tij, duke rikthyer vëmendjen tek muzika që flet për qytetin, kujtimet dhe momentet e thjeshta që mbeten të paharruara. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com

Comments
This post currently has no comments.